Dardha me shijen më misterioze në botë në bahçet e shqiptarëve

Maj 1, 2020 || 164 views

Shija e saj nuk ka të krahasuar me asnjë varietet tjetër të këtij fruti. Bëhet fjalë për dardhën japoneze.

Cilësohet si varieteti me shijen më të mirë dhe më të kërkuar në botë por që kërkon kushte klimatike të posaçme për të dhënë frutat e shumë dëshiruar.

Fermeri dibran Zija Keshi, i njohur për sjelljen në Shqipëri dhe kultivimin e disa varieteve më të rralla të frutave ka nisur prodhimin në sasi të kufizuara për momentin të dardhës japoneze.

“Dardha japoneze njihet në botë për shijen e saj të veçantë dhe është shumë e rrallë si varitetet. Kultivimi i saj kërkon së pari kushtet klimatike dhe kujdesin e duhur.

E veçanta e saj është që jep fruta që në vitin e dytë të kultivimit. Unë në fermën time e eksperimentova në vitin 2019 dhe rezultoi e suksesshme duke ofruar frutat e para në vitin e dytë të kultivimit. Fidanët iu përshtatën më së miri kushteve si dhe strukturës së tokës.

Kushdo që e ka provuar ka mbetur i mahnitur nga shija e saj sepse është me të vërtetë unike. 2-3 minuta pasi konsumohet ndijesia e shijes është e çuditshme, pak e ëmbël, pak e athët dhe pak si alkol” shprehet Zijai për AgroWeb.

Dardha Japoneze Në Kopshtet Shqiptare
Kjo dardhë është fantastike për t’u mbjellë edhe në kopshtet e shtëpive private dhe frutat e saj i jep në vitin e dytë.

Tashmë shumë familje shqiptare me shtëpi private por e mbjellin këtë pemë në oborret e tyre.

Sezoni i mbjelljes së fidanëve të kësaj dardhe është në muajt janar-shkurt, dhe në muajin shtator të vitit të dytë të kultivimit pema nis të japë frutat e saj.

“Ka shumë shqiptarë që e kërkojnë tani, pasi janë njohur kur kanë ardhur në fermë dhe kanë marrë fidanë duke i mbjellë në bahçet e tyre.

Është ende herët për të folur për kultivim masiv megjithëse aktualisht ka shumë banorë që kanë marrë fidanë për ta mbjellë në shtëpitë e tyre” shprehet Zijai për AgroWeb.

Përfitimet dhe Vlerat Shëndetësore
Por krahas shijes së veçantë, Zijaji tregon edhe për përfitimet e forta shëndetësore që kjo dardhë e mrekullueshme ka.

Kjo dardhë ka vlera të mëdha shëndetësore. Është shumë e pasur në fibra. Ajo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të nivelit të gjakut.

Është shumë e mirë për forcimin e imunitetit dhe organizmit duke i dhënë atij energji.

Vitaminat e kësaj dardhe ndikojnë në forcimin e densidetit të kockave por edhe në shëndetin e dhëmëbëve gjithashtu. Konsumimi i kësaj dardhe rekomandohet edhe për uljen e tensionit të gjakut.

Por krahas këtij fruti, fermeri dibran Zija Keshi ka sjellë në Shqipëri edhe varitete të tjera të veçanta frutash përfshirë edhe ato medicinale, siç janë manat goxhi, aronia, lajthitë tuke, molla diamant, e cila është gjithashtu varieteti më i veçantë i mollës në botë, rrushin serez dhe disa varietete boronicash për të cilat do shkruajmë në vijim./AgroWeb.org