Boka Kotorska ose Gjiri i Kotorrit, gryka alpine e bregdetit ballkanik

March 4, 2020 || views

Nga Rozafa Topalli

Sa herë që rinisin këto llotaritë amerikane, e ti pyet veten “Pse jo”,… seç të vie ndërmend Europa, së cilës ia ke lënë akoma pa eksploruar ca destinacione grishëse. Punë minutash pastaj, bëhesh edhe më pragmatist; sjell ndërmend Ballkanin. Dinamik dhe me “resurse”. Kaq u desh; u “akomodove”!
Këtë radhë bileta shkon për ca plazhe të bukura, andej nga Gryka e Kotorrit.

E pozicionuar në brigjet jugore Dalmatiane të detit Adriatik në Mal të Zi dhe e përbërë nga lugina dhe fjorde që ndërthuren thellë në brendësi të tokës, mund ta quajmë pa frikë, një nga portet më të bukura natyrore të Mesdheut. Nga pikëpamja piktoreske i përngjet peisazhit të liqeneve alpine, kurse për nga rëndësia historike dhe strategjike, duhet përmendur fakti që përbën një nga pasuritë njerëzore të UNESCO-s.

Kotorri ( nga ku ka marrë edhe emrin ), Tivati , apo dhe Perasti, janë ndër destinacionet më të preferuara.

E di! …Na duhen tema të rëndësishme që të ndjehemi “të fortë”. Si shqiptarë, edhe specialistë të politikës edhe të ekonomisë, ne diskutojmë veçse çështje madhore dhe heroike.
Si thoni, t’ia nisim nga këto?!
…. Se në fakt është vjeshtë; stina ku mbledhim trutë, ku bëhemi disi “ekzistencialistë” dhe na mjafton qoftë edhe përkëdhelja e dy rrezeve diell, për t`u ndjerë të privilegjuar dhe për ta shpallur veten poet.

 

Pra, skenarët i shkruakemi në vjeshtë, kurse në verë filluakemi xhirimet.
Të jetë për mua, xhirojini ku t’ju dojë qejfi por aman, para se të niseni në Amerikën e plot shanseve apo thjesht, edhe para se të rrëmbeni ato ofertat “ala Lupen” të agjencive turistike, hidheni edhe një bisht syri nga Ballkani.
Ngjan aq i vogël e modest, por mbart në vetvete akoma shumë stacione panoramash të parezistueshme. Autobusi i njerëzve të thjeshtë niset çdo ditë, me çmimet më të leverdisshme.
12 euro për person është një çmim goxha ftues…
Me këtë portofol “barbon”, po nisemi drejt gjirit më të madh të detit Adriatik; në Boka Kotorska (gryka e Kotorrit). Dhe meqë kemi marrë përsipër të dedektojmë ato zonat e nënvlerësuara por tejet pikante, ato destinacionet e palëvruara , por çuditërisht aq mbresëlënëse; ato “hirushet natyrore” ballkanase, që i janë dorëzuar anonimatit, atëherë ia vlen të spostohemi paksa.

   

Aty, në fshatin bregdetar të Donji Stoliv. 9.5 km larg nga Kotorri, një anëdetëse e gjatë, që plotësohet nga njëra anë me shtëpitë prej guri, të ndërtuara nën hijen e pemëve të ullinjve e gështenjave dhe në anën tjetër, nga panorama e smeraldtë e plazhit. Prej dallgëve të bindura detare seç përçohet një si pëshpërimë, një si tis idilik; një frekuencë kimike që zgjat sa një puthje. Kaq. Puthjet janë me metrazh të shkurtër, pasi na marrin kohë…

Lexoni edhe:  Nga Ulqini në Tivar – itinerare shqiptare brenda Ballkanit

 

***

Që në 1979 ky vend dhe Gryka e Kotorrit u shpallën pasuri të Unesko-s dhe jo më kot aty sot për sot, takon turistë nga e gjithë bota.
Pasditja përbën teatrin romantik të këtij limani tërheqës. Ato qoshkat e vogla si ballkone apo veranda private, të japin një alibi të mirë për meditime, poezi apo edhe ndonjë selfie artistike. Dhe prisni, nuk mbaron këtu: 250 metra përballë, shpaloset hijerëndë qyteza bregdetare e Perastit. I vogël dhe luksoz, me kishën, lokandat moderne, minirrugicat me shkallë të shumta, dy ishujt e vegjël, ai na serviret si një vend mjaft intrigant dhe i adhurueshëm. Mjafton vetëm një skaf-taxi dhe per 10 min jemi aty! Tivari dhe Kotorri janë dy kufijntë e tjerë të miklueshëm të kësaj zone. Me vetëm një euro, mund të zgjedhim një biletë për Tivar, apo për Kotorr. Cilindo që të vendosim, veçse do përmbushemi e llastohemi me bukuri.

Përsa i përket Perastit, megjithësë numëron rreth 360 banorë, sidomos gjatë verës, ai kthehet në oaz të përbashkimit të shumë kulturave dhe gjuhëve të botës. Turistë të huaj që duan medeomos të vizitojnë dy ishujt e vegjël të Perastit (njëri nga të cilët përbën edhe ndër të paktat raste të ishujve artificialë të Adriatikut , Skrpjela). Ndër të tjera, kjo qytezë e mrekullueshme, të mahnit edhe me ndërtesat baroke, që na rikthejnë prapa në histori, në kohën e Republikës Veneciane (Hm, ky Vendiku kudo i ka futur hundët, ama na ka lënë gjurmë të mahnitshme), së cilës ky vend i përkiste në vitet 1420-1797. Asokohe biles, zona njohu edhe pikun e vet të lulëzimit (4 kantiere detare, një flotë me qindra anije dhe 1700 banorë). Edhe diçka mjaft interesante për t’u theksuar, është fakti që, megjithë hapësirën e vogël gjeografike, aty numërohen rreth 16 kisha si dhe një shpirt pelegrinazhi mjaft aktiv dhe tejet besimtar.

 

   

Përfundimisht, ka ikur koha e legjendave urbane që na rrëfejnë të tjerët. Sigurisht, politika dhe ekonomia nuk dalin kurrë nga moda: Me politikën e udhëtarit dhe me ekonominë e shqiptarit bëhen akoma pushime unike; mjafton të zhbiriloni si duhet dhe të këmbëngulni të mbeteni modestë. Për fotot në Instagram nuk kam këshilla të përkora; shisni mend sa të doni o (derisa ) t`ju dalë vera!