Boga, porta e Alpeve shqiptare

October 22, 2019 || views

Boga është një fshat i vendosur në një luginë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga Alpet. Bukuria, pasuritë natyrore dhe kulturore të këtij fshati u lënë mbresa çdo vizitori.
Sipas gojëdhënave Boga ishte emri i djalit të dytë të Kelmecës (të parit të Kelmendit). Nga djali i dytë rrodhi fisi i vogël i Bogës, i cili bënte pjesë në Fisin e Kelmendasve. Deri në shekullin e XVII ky fshat ka qenë pjesë e Kelmendit, duke qenë një ndër katër bajraqet e tij. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme ilire të shek. II-III.

 

Lugina e këtij fshati fillon me Përroin e Thatë në Grykë të Lugjeve dhe përfundon në Qafë T’thore në lartësinë 1650 m, luginë akullnajore e rrethuar nga male madhështore, të cilat i kalojnë edhe 2000m lartësi, si Mali i Livadhit me 2494 m, ku ndodhet dhe bjeshka më e bukur e Bogës, Mali i Rrabës me 2222 m lartësi dhe Mali i Bridashit me 2128 m lartësi. Këto male përveç se ia shtojnë bukurinë këtij fshati përbëjnë itinerare interesante për ngjitje malore si dhe mundësojnë lidhjen me fshatra të tjerë të Kelmendit (Nikçi, Kozhnje…), Thethin etj. Në malet e veshura me masive pyjesh drunore të ahut dhe pishave gjenden shumë bimë mjekësore. Një nga këto bimë është “Bari i Zemrës” ose Sanza, e cila u zbulua 2200 vite më parë nga mbreti ilir Genti, për nder të të cilit iu vendos emri shkencor, Gentiana Lutea. Rrënjët e kësaj bime kanë vlera kurative për enët e gjakut, zemrën dhe frymëmarrjen.

 

Boga ështe e pasur edhe me bimë endemike si: Wulfenia e Baldaçit (Shtegu i Dhenve, 1700m lartesi), Lilium Albanica, Kambanorja, etj.
Për të apasionuarit e spelologjisë Boga është vendi ideal, pasi këtu gjendet shpella të shumta si Shpella e Puçit, Shpella e Cilikokajve e eksploruar deri tani në thellësinë rreth 505 m, Pusi i Gjek Markut, më i thelli i eksploruar në Shqipëri ku gjendet akulli fosil, Shpella e Akullores, Shpella e Mullinit, Shpella e Livadhit Bogës, Shpella e Husit, Shpella e Njerëzve të Lagur etj. Shpella e Madhe njihet si dëshmi e vendbanimeve te para, ku sipas zbulimeve arkeologjike, mendohet të kenë qenë rreth viteve 300 pas Krishtit. Boga ka burime uji të mrekullueshme si Kroni i Bogës dhe burimet e ujit Ogovan.

 

Boga me klimën e saj kurative ofron turizëm gjithëvjetor pasi nuk bllokohet nga dëbora dhe është një vend mjaft i përshtatshëm për kamping dhe trekking, pasi ka shtigje të shumta që lidhen me Razmën, Thethin e Kelmendin.
Gastronomia tradicionale është shumë e zhvilluar me prodhime vendore, si: mish i thatë, ferliku, djathë i zier, kaçimak, kulaç me mazë, patatet në kaki, jarduni i deles, etj.. Gostitë e ndryshme, e mbi të gjitha mikpritja që gjen në shtëpitë e Bogës janë një traditë e ruajtur prej shekujsh.

Boga ofron edhe mundësinë e akomodimit në shtëpitë pritëse shumë komode e me arkitekturë tradicionale dhe restorante me gatime tradicionale.


burimi i informacionit: VIS Albania