Aromë Ilirie – për të kujtuar dhe për të harruar

20 Janar, 2020 || 1364 views

Nga Flora Xhemani Baba

Illyrian saloon është tempulli i ri i argëtimit dhe trashëgimisë në kryeqytet

Tirana është vërtet një qytet kozmopolit por për fat të mirë ka njerëz që i drejtojnë gjithmonë sytë kah origjina duke kërkuar rrënjët thellë histori. Qoftë për biznes, qoftë për pasion, kthimi tek rrënjët është shenjë identiteti dhe çfarëdolloj nisme që të jetë ajo, meriton vlerësim dhe duhet të ngrihet lart, deri në piedestalin e mirënjohjes.
Kështu duke “eksploruar” kryeqytetin që s`pushon së rrituri, ramë në gjurmët e ILLYRIAN SALOON, që shpresojmë të jetë tash e tutje destinacioni i ardhshëm i turistëve në Tiranë, sepse nuk është një bar-pub i thjeshtë por një tempull i ngritur mbi gjurmët e vlerave të Ilirisë.

Sapo hyn e ndjen menjëherë aromën e kohëve të lashta, gdhendur në dru e rrahur në hekur, derdhur në bronx e thurur në li, prej llampadarëve të rinj dhe përkrenareve të vjetra, e deri tek litarët që lidhin bibliotekën e fisme, mbushur me libra Ilirie. Vetëm duke biseduar me Aulonën, të zonjën e shtëpisë, e kupton se me sa dashuri është ngjizur ky vend.

Ç`aromë dehëse e dheut amë!
Ata janë djem e vajza gjithë sharm e botë, që në vend të vanitetit bosh që ka mbushur rëndom një kryeqytet laraman si Tirana, preferuan që të shtyhen thellë në kohë, ashtu siç rrënjët e ullirit depërtojnë e depërtojnë kodrinave deri nëpër kalldrëmet e Kandaviave të dikurshme. Dhe në vend që të shesin mend me emra të fryrë e modele të kopjuara lart e poshtë nëpër kontinente, (që i njohin shumë mirë), preferuan të qëndronin në Iliri dhe të nxirrnin nga pluhuri i mijëvjeçarëve mburojat, përkrenaret, shpatat, bizhutë e mbi të gjitha historitë e një kohe të lavdishme, ndër të paktat në epoka,që e kujtojmë me krenari.

 

 

Kur dëgjon se ç`thonë për tempullin e tyre të ri, atëhere e kupton se kjo sipërmarrje nuk është thjesht një biznes por një mënyrë të jetuari, një filozofi e tërë.

“Vetë emri i lokalit nënkupton shumë qartë atë çka përfaqëson, gjithashtu edhe tregon shumë për ne që e kemi krijuar. Kuptohet që si çdo gjë e ndërtuar në kohë, paraqet veç majën e ajsbergut.
Emri fillimisht lidhet me identitetin tonë kombëtar dhe një kohë të lavdishme të hapësirës tokësore që dikur quhej Iliri.

Për fatin tonë të keq, pozita gjeopolitike na ka kushtëzuar një histori mbushur me luftra, pushtime e ringjallje. Ringjallja ka ardhur gjithmonë në periudha kulmimi, si në rastin e Heroit tonë Kombëtar Kastriotit, rilindasve etj..

Tani, jetojmë në një kohë që kthimi i shikimit ndaj rrënjëve e identitetit është shumë i rëndësishëm. Mund të ndërtojmë veç duke pasur themele të fortë e duke marrë frymëzim nga një epokë e lavdishme. Gjaku s’bëhet ujë themi ne dhe kjo gjë pasqyrohet në pjesën e parë të emrit.

Të tre ne që kemi ideuar e ndërtuar Illyrian Saloon, pëlqejmë e vlerësojmë shumë një kulturë lirie që lidhet ndër të tjera edhe me Perëndimin e egër. Një kohë e ashpër, kur gjërat zgjidheshin thjesht dhe me burrëri. Normalisht si shumica e shqiptarëve kjo gjë na ka pëlqyer se përngjet me karakterin tonë kombëtar, personifikuar me shprehjen  ”O nënë e rreptë burrash t’egër.”

Ndërthurja e të dyjave vjen natyrshëm dhe gjithçka përmblidhet te koncepti i Saloon-it. Pra, Saloon-i Ilir, një mjedis ku zgjedh të shkosh për të kujtuar e harruar njëkohësisht. Për të kujtuar kush je e për të harruar problemet e vogla të përditshme nën tinguj muzike të vërtetë, pije të këndshme e biseda mes miqsh.  Është vendi që kërkonim prej vitesh e meqë askush nuk mund ta bënte, e bëmë vetë”.

E ç`të bërë se! Pikë e flori, pikë e traditë, pikë e histori.

Natyrisht ndër të tjera, ky është edhe një vend ku do kalohen mbrëmjet, do pihen birra, do shijohet verë e mirë, do festohen festa, do përqafohen edhe rite moderne, edhe të vjetra e pagane. Por mënyra sesi vijnë të gjitha këto, kjo fole e bukur që pasurohet çdo ditë me shpirt por edhe me artefakte, nesër do të kthehet në muze, ku turistët por më shumë se kushdo, shqiptarët, mund të mësojnë pak më shumë për rrënjët e atdheut të tyre të dikurshëm e të tanishëm; Ilirisë.

Ky tempull u themelua nga pasardhësit e ilirëve, Leonard Shyti, Çim Gjura dhe Arlind Zerdja!


 

Str. “Perlat Rexhepi”, near Hotel “Xheko Imperial”, Tirana, Albania

To Book:

Mob: +355 69 211 6800