Arka e Shijes në Shqipëri , një udhëtim përmes shijesh dhe traditash

November 22, 2022 || views

Turizmi dhe trashëgimia gastronomike janë një binom fitimtar nëse bëhet fjalë për t’i dhënë hov jo vetëm zhvillimit ekonomik por edhe promovimit të produkteve tipike e autentike vendore, me një shije të pakrahasueshme dhe nxjerrjes në pah të prodhuesve të vegjël që na mundësojnë këto thesare gastronomike bazuar në dije e histori. Gastronomia përfshin të gjithë historinë e një territori dhe përfaqëson mënyrën në të cilën kulturat e ndryshme janë shfaqur gjatë shekujve.

 

Hapi i parë për të rritur interesin mbi trashëgiminë vendase gastronomike është të treguarit të ekzistencës dhe historisë së saj. Slow Food, në përpjekjen e saj mbi 20 vjeçare në mbrojtje të biodiversitetit dhe ushqimit në të gjithë botën dhe FAO – Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara ndajnë strategji të përbashkëta dhe botimi “Arka e Shijes në Shqipëri” është pjesë e një shërbimi të ofruar nga Slow Food dhe VIS për FAO si pjesë e një Akt-Marrëveshjeje në mbështetje të projektit të titulluar “Ndërtimi i kapaciteteve administrative të MBZHR-së (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) për negociatat teknike me Bashkimin Evropian në bujqësi dhe zhvillim rural”, i cili na prezanton me 57 produkte (fruta & perime, peshk & mish, mjaltë, produkte të përpunuara) dhe me 10 receta tradicionale nga e gjithë Shqipëria. Të dyja organizatat besojnë se vetëm me rritjen e interesit mbi konsumin e produkteve me Tregues Gjeografikë do mundemi të jemi në gjendje të mbrojmë dhe të ruajmë plotësisht trashëgimitë vendase gastronomike.

Biodiversiteti është premtimi më i madh për të ardhmen e njerëzimit. Pa të, baza e jetës njerëzore në planet do të humbiste, pasi është tabani ku janë formësuar dhe formuar qytetërimet dhe kulturat, falë përshtatjes njerëzore me mjedisin natyror. Mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i biodiversitetit nuk është thjesht një prej zgjedhjeve të përparuara të intelektualëve apo ambientalistëve nostalgjikë: përkundrazi, është e vetmja rrugë e zbatueshme që kemi përpara. Është detyrim moral që duhet të ndërrmarrë brezi ynë që jeton këtë moment historik, kundrejt atyre që do vijnë pas nesh dhe do jetojnë në planetin Tokë, planet të cilin sot po e shkelim, lëndojmë dhe keqtrajtojmë.
Nga ky këndvështrim, “Arka e Shijes”, një projekt global, është një nismë që ka për qëllim të mbledhë informacione, njohuri dhe vetëdije, në lidhje me këtë trashëgimi unike, dhe botimi “Arka e Shijes në Shqipëri” e vendos atë në kontekstin shqiptar.

Përmes Arkës, komunitetet ftohen të rizbulojnë trashëgiminë e tyre bujqësore dhe ushqimore, në mënyrë që të mos humbasin lidhjen me tokën, e cila na ushqen dhe do të vazhdojë të na ushqejë.
Botimi “Arka e Shijes në Shqipëri” – Ushqim, Njohuri dhe Histori të Trashëgimisë Gastronomike, përmban një listë të produkteve që janë rezultat i një konsultimi të gjerë mes Slow Food, Universitetit të Shkencave Gastronomike, FAO, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe falë mbështetjes së shumë shefave të kuzhinës dhe vullnetarëve të gjithë rrjetit Slow Food në Shqipëri që punojnë me pasion çdo ditë për të ruajtur këtë trashëgimi unike, duke kontribuuar në atë që tashmë në të gjithë kontinentin përcaktohet si Rilindja e Gastronomisë Shqiptare.

Ky botim ka për synim të jetë si mjet për të promovuar biodiversitetin e Shqipërisë dhe për ta bërë atë të njohur në një publik më të gjerë.

Slow Food është e angazhuar për të mbrojtur ushqimet tradicionale, të qëndrueshme, cilësore, duke mbrojtur biodiversitetin e varieteteve të kultivuara dhe atyre të egra, si dhe metodat/teknikat e kultivimit dhe prodhimit. Të gjitha këto janë të kërcënuara nga mbizotërimi i ushqimit të përpunuar, agrobiznesi industrial dhe rregullat e tregut botëror.

Që nga viti 2012, VIS Albania ka luajtur një rol kryesor në zhvillimin e rrjetit të Slow Food në Shqipëri, dhe që prej asaj kohe ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Slow Food për t’u dhënë mundësinë popullsive rurale që të kthejnë traditat e tyre unike rurale në mundësi të qarta për zhvillim të qëndrueshëm. Në identifikimin e produkteve në Shqipëri kanë kontribuar shumë persona, shoqata dhe grupe prodhuesish nga i gjithë vendi.
Për secilin nga 57 produktet shqiptare në Arkën e Shijes jepet informacion mbi kategorinë, zonën e prodhimit, sezonalitetin, analizën e produktit, teknikat e gatimit, historinë e tij dhe përdorimin që gjen në kuzhinë.

FRUTA DHE PERIME
ULLIRI I BARDHË I TIRANËS
PRESHI I BELORTASË
ULLIRI KALINJOT
KOÇKULLA E SKRAPARIT
FASULJA KACAVJERRËSE E LEKBIBAJT
QERSHIA E ZEZË E LUZNISË
ÇAJI I MALIT
RRUSHI PULËZ
GËSHTENJA E REÇIT
RIGONI I KUQ
RRUSHI SHESH I BARDHË
RRUSHI SHESH I ZI
PATATJA E STEBLEVËS
RRUSHI VLOSH

MJALTË
MJALTË BEDUNICE
MJALTË MAREJE

MISH DHE PESHK
DELJA BARDHOKE
PESHKU BELUSHKË
DHIA E DRAGOBISË
PESHKU KORAN
KRAPI I LIQENIT TË SHKODRËS
TROFTA E EGËR E CEMIT

PRODUKTE TË PËRPUNUARA
RAKIA E MANIT TE BOBOSHTICËS
RAKIA E SHALËS
RAKIA E THANËS
FIQTE E THATË TË ROSHNIKUT
LËNGU I RASOJIT
ÇAJI I SANZËS
DJATHI KAÇKAVALL I GJIROKASTRËS
OSAT E GJIROKASTRËS
BOZA E GORANIT
HARDIÇI
JARDUNI
JUFKAT E DIBRËS
VERA KALLMETI
BUKA NË VOTËR E KELMENDIT
MISHI I THATË I KELMENDIT
LËNGU I VISHNJES
PEKMEZI I LUSHNJËS
MAZA E ÇAPRËS
MISHAVINA
RAKIA E RIGONIT
PASTËRMA DHIE
PETKA
TURSHI PATËLLXHANI
PISTILI
REHANI I THANËS
SALCA E SHAKULLIT
TRAHANA
HOSHAFI ME KUMBULLËN E ZEZË TË TROPOJËS
UTHULLA E THANËS
VAJI I ULLIRIT EKSTRA TË VIRGJËR KOKËRRMADHI I ELBASANIT
GLIKOJA E ARRËS
HOSHAFI I MOLLËVE TË EGRA
RAKI MANAFERRE TË EGËR
GLIKOJA E FIKUT TË EGËR
VERA E TRËNDAFILIT TË EGËR

RECETA TRADICIONALE
BYREK ME ARRA I MIRDITËS
TAVË ELBASANI
FËRGESA
FLI KUKSI
JUFKA DIBRE ME PULË
TAVË ME KORAN DHE ARRA
PAÇE KOKE
QIFQIA
TAVA E KRAPIT TË LIQENIT TË SHKODRËS
TRAHANA ME RRUSH TE MARINUAR DHE SALCË BERDULLAKU

Por çfarë është Arka e SHIJES dhe si mund të jepni edhe ju kontributin tuaj për të kataloguar produkte vendore të cilat duhet ruajtur e që janë në rrezik zhdukjeje, me qëllimin për t’u dhënë vlerë dhe për t’i mbrojtur pasi mbartin dije, histori dhe traditë që duhen trashëguar.
Arka e Shijes është një katalog online ushqimesh që rrezikojnë të zhduken dhe që janë pjesë e kulturave dhe traditave të të gjithë botës. Arka u krijua për të vënë në dukje ekzistencën e këtyre produkteve, për të tërhequr vëmendjen ndaj rrezikut të zhdukjes së tyre dhe t’i ftojë të gjithë të marrin masa për të ndihmuar në evidentimin dhe mbrojtjen e tyre, blerjen dhe konsumimin e tyre, duke treguar historinë e tyre, duke mbështetur prodhuesit e tyre, dhe në disa raste (siç është rasti i specieve të egra në rrezik zhdukjeje), duke promovuar ruajtjen dhe riprodhimin e tyre.
Qëllimi i përgjithshëm nuk është krijimi i një banke farërash, një koleksion materiali gjenetik apo një muze për të shfaqur njohuri tradicionale, por për të rizbuluar dhe dhënë vlera këtyre burimeve në mënyrë që të mbështesin ekonomitë vendase.
Përveç specieve bimore dhe shtazore, produktet e përpunuara kanë hyrë në Arkë sepse, së bashku me biodiversitetin e bimëve dhe kafshëve, djathrat, mishrat e stazhonuar, bukët dhe ëmbëlsirat po zhduken gjithashtu. Këto produkte janë shprehje të njohurive të fermerëve dhe artizanëve, që ekzistojnë jo në recetat e shkruara, por si aftësi dhe praktika komplekse të përcjella brez pas brezi.
SI TË PROPOZOSH NJË PRODUKT
Kushdo mund të propozojë një produkt pa qenë ekspert, mjafton të ketë aftësi të veçanta, ose të jetë një anëtar i Slow Food. Mund të propozoni një produkt nga zona juaj ose nga komunitete të tjera ose nga një vend tjetër. Mund të propozoni një produkt duke plotësuar formularin e thjeshtë të disponueshëm në faqen e internetit “Slow Food Foundation for Biodiversity”.
Formulari i plotësuar për propozimin do të vlerësohet nga komisionet kombëtare/rajonale, në vendet ku ata ekzistojnë. Faqja e internetit të Fondacionit radhit vendet në të cilat ekziston një komision dhe informacionet përkatëse për të kontaktuar me grupet vendore të punës. Këto dy organe – komisionet vendore dhe Fondacioni i Slow Food për Biodiversitetin – do të verifikojnë që propozimi i përshtatet kritereve të përcaktuara për projektin. Për ta bërë këtë, Fondacioni Slow Food bashkëpunon me këshilltarë nga vende të ndryshme. Nëse formatet e propozimit nuk janë të plota, do të kërkohet informacion shtesë nga propozuesi.

Pas miratimit, hapi tjetër është që të përfshihet një përshkrim i shkurtër i produktit në katalogun online.

Gjatë kohës së printimit të këtij botimi, anëtarët e Slow Food kanë përfshirë në Arkën e Shijes rreth 5,168 produkte nga 148 vende.

Me poshte mund te shihni galerine me disa foto nga ushqimet tradicionale: