ARIA Karpen Resort & SPA pasuron listën e plazheve të Kavajës si destinacione për pushime të gjata

17 Gusht, 2021 || 624 views

Në Korrik të këtij viti hapi dyert resorti më i ri në bregdetin shqiptar ARIA Karpen Resort & SPA, një invenstim i administruar nga ALER Group.

Me një ceremoni madhështore në formën e një koncerti të gjatë, me pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe artistëve më të njohur të momentit, ku ishin të pranishëm autoritetet shtetërore dhe lokale, aktorët kryesorë të turizmit, tur operatorë e media nga Shqipëria,  Kosova dhe Maqedonia e Veriut  si dhe partnerët turistikë nga Ukraina e Rusia, ARIA Karpen Resort & SPA u prezantua si një strukturë  pritëse me pesë yje që ndryshe nga rrjeti i hoteleve të tjerë të ALER Group, dedikuar kryesisht turistëve të huaj, do të mirëpresë edhe shqiptarët nga Shqipëria e Kosova, që duan të kalojnë një fundjavë të qetë në plazhet e Kavajës. Ardhja në treg e këtij resorti me pesë yje e përfshin edhe plazhin e qetë të Karpënit në listën e destinacioneve që tashmë mund t`i zgjedhim për pushime.

Tatjana Bajraktari, administratorja e ALER Group, tha në fjalën përshëndetëse se ky resort nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësia e një pune  mbi 10-vjeçare që ALER Travel po bën për rritjen e turizmit në Shqipëri, punë e cila do të vazhdojë me përpjekjen për rritjen e numrit të turistëve dhe zgjerimin e destinacioneve. Këtë verë risitë nga ALER Travel kanë sjellë në Shqipëri edhe tri linja të reja me çarter, nga Moska, Samara dhe Yekaterinburgu i Rusisë.

Po çfarë ofron për pushuesit ARIA Karpen resort & SPA?

I vendosur buzë detit, mbështetur në kodrat e buta të Karpënit, në dy godina luksoze, ky resort, në ndryshim nga hotelet e tjera të administruara nga ALER Group, ndodhet në një zonë të qetë e të izoluar, fare pak kilometra nga rruga kombëtare Plepa-Rrogozhinë, në Plazhin Karpën, një plazh me infrastrukturë turistike të pazhvilluar që i përket bregdetit të Kavajës.

Resorti është i përshtatshëm për turistët që kërkojnë privaci dhe mjedise jo të zhurmshme, larg kaosit të zonave bregdetare të mbipopulluara. Standarti me pesë yje ofron akomodim luksoz dhe një sërë shërbimesh, si me paketat “all inclusive” ashtu edhe me restorantin “alla carte” me gatimet më të mira mesdhetare nga kuzhinierë të njohur shqiptarë. Ky investim krejtësisht i ri bëhet në suazën e rritjes së kapacitetit të turistëve që vijnë me ALER Travel , i cili vitet e fundit ka qenë i vazhdueshëm dhe raport të drejtë me rritjen e kërkesës.

Duke qenë një strukturë thuajse e izoluar, ARIA Karpen Resort ka një paketë shërbimesh që e plotëson më së miri kohën e pushimit të një turisti. Pishina para hotelit dhe plazhi i gjerë, kompletohen gjithashtu me pishinën e brendshme, mjediset e jashtme, barin modern në tarracë dhe ambientet e gjelbëruara të të dyja godinave.

Katet e poshtme të resortit janë të gjitha dedikuar mjediseve SPA, ku bashkë me pishinën dimërore, dhomat e masazhit, palestrës, trajtimeve estetike të specializuara, shërbimeve të bukurisë dhe mirëqenies, përbëjnë një paketë të plotë luksi e komforti për turistët e kësaj kategorie. Shtimi i këtyre shërbimeve bëhet sidomos për të plotësuar kërkesat e tregut rus, i cili njëhet si turist i shërbimeve të luksit.

Por edhe turistët shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, nëse janë në kërkim të pushimeve të qeta, ku zhurma e kaosi ka mbetur tej rrugës automobilistike, janë të lirë ta zgjedhin ARIA Karpen Resort & SPA, si alternativën më të mirë të pushimeve në bregedetin e Shipërisë së Mesme.