Të gjithë të dashuruar me Korçën – Vizitojeni me Discover Albania!

15 Janar, 2023 || 52 views

Pse e duam kaq shumë Korçën? Kemi folur e shkruar kaq herë për të dhe prapë, megjithë bukuritë që ka, nuk kuptohet se pse njerëzit shkojnë aty gjithmonë verë-dimër, vjeshtë e pranverë. Edhe qytetet e tjera shqiptare janë shumë të bukura por siç duket Korça ka një magji të brendshme që nuk kuptohet deri në fund se ç`është por që të tërheq vetvetiu.
Megjithëse, po ta shohësh thellë-thellë, edhe mund ta shpjegosh disi se pse njerëzit janë të dashuruar me Korçën. Dhe jo vetëm për serenatat e saj. As për Pazarin, birrat e kërnackat, As për binomin e pandarë turistik Dardhë-Voskopojë. Domethënë edhe për këto padyshim. Por edhe për diçka tjetër që ne mendojmë se është pikërisht ajo magjia e Korçës.

 

Është shumë qytetare bre! Ka një qytetari që të përlot! Në njerëz e në qytet!

Përveç kësaj, ka aq shumë vende ku mund të shkosh në Korçë e jashtë Korçës, saqë edhe sikur ta vizitosh jo çdo stinë por çdo fundjavë, ke mundësi të shohësh një vend të ri, një fshat të ndryshëm, një muze që s`e kishe vizituar herën e kaluar a një vend të fshehtë që jo të gjithë e dinë.

Ndaj dhe nuk është asnjëherë e tepërt ftesa për të vizituar Korçën!

Mjafton të përmendim vetëm shprehjen “Qyteti i Serenatave”, dhe secili prej nesh e kupton se për cilin vend bëhet fjalë.
Në mendimet tona vjen imazhi i dëborës e cila ka zbardhur vendin, oxhaku i ngrohtë dhe një atmosferë festive plot të qeshura. Të qeshura nga fëmijët që lozin me dëborën, sytë plot hare të prindërve e gjyshërve, e një atmosferë festive gjatë darkave korçare të shoqëruara me serenata e ushqime tradicionale.

E ku ka më bukur sesa të kalosh një fundjavë në Korçë!

Ky qytet, i cili ka ditur si të ruajë autenticitetin dhe traditat të tij mikpret turistë në çdo sezon. Ka shumë pasuri turistike në qytetin juglindor, veçanërisht trashëgimia e tij arkitekturore dhe shpirtërore.
Ndalesa e parë e çdo vizitori është të shijojë një kafe në Pazarin e Korçës. Ndërtimet tipike të një qyteti mesjetar të cilat janë kthyer në atraksionin kryesor për vizitorët, e dallojnë tashmë Korçën.
Korça dhe pazari me arkitekturën e tyre shprehin qartë natyrën zejtaro-tregëtare të zhvilluar për kohën e këtij qyteti. Dyqanet kanë qënë grupuar sipas zejeve, duke formuar tregje të veçanta si tregu i drithit, i peshkut, i bylmetit, i saraçëve, i kallajxhinjëve, i kovaçëve, etj. Dyqanet në përgjithësi janë dykatëshe, e pothuaj, gjithmonë me bodrum.
Në zonën e Pazarit kanë qenë ndërtuar në të kaluarën një numër i madh hanesh, disa prej të cilëve sot janë kthyer në hotele. Numri i madh i tyre, hedh dritë mbi veprimtarinë e gjerë ekonomike të qytetit. Banesat karakterisitike të kthyera në bare e hotele, i kanë dhënë një gjallëri Korçës përgjatë gjithë vitit.
Përveç Pazarit dhe arkitekturës së këtij qyteti, ajo çka na kthen në retrospektivë janë edhe muzetë e ndryshme të hapur për vizitorët. Muzeu i Arsimit, Muzeu i Artit Mesjetar, Muzeu i Artit Oriental, Muzeu “Gjon Mili” janë disa prej muzeve të cilat tregojnë periudha domethënëse historike.

Por nuk mbaron këtu. Lemë pas qytetin dhe vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt fshatrave turistikë të Korçës. Ndalesa e rradhës është në vendin e manave shekullorë, në Boboshticë. Fshati i njohur për prodhimin e rakisë së manit me një ngjyrë jeshile, karakteristike e saj, e cila nuk mungon asnjëherë në shtëpitë dhe tavernat e shumta të fshatit. Me një pozicion kodrinoro-malor, Boboshtica spikat për shtëpitë e ndërtuara me gur e rrugë të shtruara me kalldrëme.

Besoj se të gjithë e dini që, sapo lemë pas Boboshticën, një tjetër atraksion turistik që na pret, me një bukuri të pashoqe e klimë ideale, është Dardha. Në sezonin kur dëbora ka zbardhur vendin, Dardha të jep mundësinë për zhvillimin e sporteve dimërore, veçanërisht atë të skive. Ashtu si edhe fshtatrat e tjerë të zonës së Korçës, Dardhën mund ta vizitosh në çdo stinë të vitit, për ajrin e pastër, shtigjet natyrore, shtëpizat e gurta e natyrisht ushqimet tradiconale. Por ne mendojmë se koha ideale është dimri, ndaj dhe Dardha ishte një prej destiancioneve të para që u bë pjesë e paketave të Discover Albania.

Destinacioni i radhës, Voskopoja. E kush nuk ka dëgjuar për Voskopojën. Dikur një nga qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë me një zhvillim ekonomik, kulturor dhe artistik, tashmë është një nga destinacionet më të vizituara nga turistët. Eksplorimi i shtigjeve natyrore, shijimi i ushqimeve tradicionale të zonës, vizita nëpër kishat dhe bazilikat, i bën turistët të zgjedhin gjithmonë ta vizitojnë Voskopojën.

Driloni, Tushemishti, Pogradeci dhe Lini janë distinacione te tjera të cilat e plotësojnë edhe më shumë paketën turistike të Korçës, si ndalesa të këndshme në kthim duke bërë që shpeshherë një fundjavë të mos mjaftojë për t’i vizituar të gjitha këto vende.
Ne ju mirëpresim çdo fundajvë me ofertat e Discover Albania për të vizituar këtë destinacion ku natyra, ajri i pastër, tradita e historia, takohen bashkë në një vend, në qytetin e magjishëm të Korçës.
.