Ah, kjo Llogoraja Flak’ e Borë…

21 Dhjetor, 2019 || 939 views

Nga Flora Xhemani Baba

“E ç’t’ju rrëfej më parë moj shoqeni, moj motrani… “, do thoshte Teto Ollga, po ta linte për ca ditë Tushemishtin e saj dhe të ngjitej deri në Llogora.
Edhe ne nuk dimë se ç’t’ju tregojmë më parë për Llogorain, parkun kombëtar që Vlora e ka të hedhur në qafë, si një shall të gjelbër. Kemi patur fatin ta shijojmë këtë park të mrekullueshëm përmes resortit më të bukur malor jo vetëm të zonës por edhe të parqeve të tjera, mund të themi pa frikë. U bë tashmë më shumë se një dekadë që Llogora Tourist Village është bërë shtëpia jonë e dytë në Vlorë dhe ndonëse shumë kohë, kënaqësia e mikpritjes merret në doza po aq të larta sa ditën e parë.

Madje, jo, është më e madhe sepse vitet e njohjes e të bashkëpunimit, djemtë tanë që janë rritur mes sorkadheve e bashkë me sorkadhet, buzëqeshjet e stafit shumëvjeçar kur na shohin tek ia behim në holl, fjalët e ngrohta të Ermionit “ooo erdhën çunat”, fytyra miqësore e Nikos tek qafohen burrat gjatë mirëseardhjes, çelësi i shtëpizës që Mondi e ka bërë gati qëkur e na pret në recepsion, janë doza të vogla dashurie që rrallë se mund t’i gjesh në resortin më luksoz e më mikpritës në botë.

Po sa miq kemi marrë me vete për t’ua dhënë edhe atyre mundësinë ta shijojnë nga afër këtë kënaqësi? Të gjithë janë rikthyer. Të gjithë i ruajnë si kujtimet më të bukura. Në fakt është shumë e vështirë të gjesh njerëz që nuk kënaqen kur vijnë këtu.

E çfarë të përmendësh më parë, fëmijët, që u gëzohen aq shumë sorkadheve e lodrave, jashtë e brenda, dimër e verë, të moshuarve, që vijnë e rrinë me ditë për atë ajrin e pastër e ambientin qetësues, të rinjve, që marrin Shtegun Botanik përpjetë apo ngjisin Çikën dimër-verë e vijnë të kënaqen në mbrëmje pranë zjarrit, ujit të ngrohtë të pishinës dimërore, saunave e banjos turke, lojrave që i luajnë deri vonë, apo të përmendësh familjet, që shijojnë gjithë atmosferën, lëshojnë lirshëm kolopuçët dhe vetë harrohen në biseda me miqtë.

Po ushqimi? Nuk po flasim për kuzhinën e Vlorës, arapashin, qingjin dhe kecin e Karaburunit në hell se ato po e po por po themi për gatimet e veçanta, që zor se do t’i gjeni diku tjetër. Ne nuk rrimë kurrë pa “French Pizza”, pa sallatën “Llogora”, pa djathin në tigan, lakrat e egra, le pastaj gatimet e Ermionit, zahiretë që përgatit ajo gjithë verën, që ju t’i shijoni gjithë dimrin, ëmbëlsirat, kekët e ngrohtë…

A e dini se në Llogora Tourist Village mund të shijoni një prej mëngjeseve më të mira në Shqipëri?

Megjithatë, dy gjëra do t’ju themi për mbyllje, që të mos ju lodhim shumë; edhe nëse shkoni për herë të parë, do t’ju presin po aq mirë sa ne që kemi dhjetë e më shumë vjet. Dhe e dyta: ndonëse të gjitha stinët janë të mrekullueshme, periudha më e bukur për ne, është ajo e Krishtlindjes, e Festave, pra tani.
Shkoni dhe do të na jepni të drejtë. Jeni ende në kohë.