14 – 22 Nëntor 1908, Kongresi i Manastirit që gdhendi alfabetin e Gjuhës Shqipe

14 Nëntor, 2019 || 1627 views

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet dialektore që fliteshin nëpër krahina. Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë që në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në diasporën shqiptare, njihet si Dita e Alfabetit.

 

 

Kongresi i Manastirit u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare.  Në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare. 

Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: Ndre Mjeda, Gjerasim Qiriazi, Mithat Frashëri, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Buda, Bajo Topulli, Nyz`het. Vrioni, Grigor Cilka. 

 

 

Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu edhe alfabeti i ri. Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. 32 prej tyre votuan pro variantit përfundimtar që nxori Kongresi. 

Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.