12 plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar… dhe jo vetëm

August 10, 2020 || views

Ato janë padyshim ndër më të bukurat! Nuk janë të vetmet sepse i gjithë bregdeti i Shqipërisë është për t`u pirë në kupë por janë më së shumti ato që kanë mahnitur turistët, të huajt, dashuruesit e aventurës, mediat botërore që i kanë përfshirë menjëherë në lista destinacionesh, të apasionuarit pas ujrave e magjive të bregdetit shqiptar. 

Bregdetit thamë? Nuk jua kishim thënë akoma që kemi plazhe marramendëse edhe në zemër të maleve? Një pjesë juaja ndërkohë i ka zbuluar. Por ka ende shumë që nuk dinë se ekzistojnë, ose që ende s`kanë shkuar atje. Prandaj edhe ne i kemi sjellë, që t`ju mahnisim, ashtu siç jemi mahnitur edhe vetë kur i kemi vizituar, ne dhe bashkëpunëtorët tanë të shumtë. Për renditjen e destinacioneve është përdorur kriteri gjeografik.  Akoma nuk jeni nisur?

Plazhi i Rrjollit – aty ku jeta rrjedh

Absolutisht i izoluar deri në rënien e regjimit komunist më 1991 për shkak se konsiderohej një fshat kufitar, Rrjolli (Baks-Rrjoll), vazhdon të mbetet një destinacion jo shumë i njohur nga vizitorët. Ai gjendet 35 km (afro 40 min) larg nga Shkodra, në drejtimin lindje-juglindje të Lagunës së Vilunit në Velipojë. Që prej vitit 2005, Rrjolli bën pjesë në Zonën e Mbrojtur “Peizazhi Ujor Tokësor i Mbrojtur Lumi Buna-Velipojë” (kategoria V e IUCN). Deri para një dekade, ai frekuentohej kryesisht nga pushues ditorë, por pas rikonstruksionit të rreth 8 km rrugë deri në aksin Shkodër- Velipojë, Rrjollin e zgjedhin për pushime disaditore gjithnjë e më shumë familjarë.

Rrjolli ka një pozicion të favorshëm, shtrirë mes Majës së Zezë (≈ 550m) dhe bregdetit, çka i jep jo vetëm bukuri të veçantë, por edhe një mikroklimë të begatë për çdo lloj aktiviteti njerëzor,
përfshi bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin. Parcelat e tokës janë gjithnjë të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, ku dallon patatja e Velipojës si dhe perime të tjera, ndërsa sektori i blegtorisë dominohet nga lopët, dhitë dhe derrat, e më pak nga shpendët. Një numër i konsiderueshëm i familjeve (rreth 25) merren rregullisht me peshkim, duke dalë në det me varka të vogla dhe rrjeta për disa lloje të faunës detare të Adriatikut, si merluc, barbun, levrek, kocë, qefull, karkaleca, oktapod etj.

Një kënaqësi e veçantë u ofrohet pushuesve që preferojnë të shëtisin mëngjeseve përgjatë plazhit të virgjër të Rrjollit, pasi ata mund të sodisin peshkatarët teksa kthehen nga deti me varka dhe nxjerrin me dorë peshkun e zënë nga rrjetat. E sigurisht që mund edhe të blejnë me çmime të paimagjinueshme peshkun më të freskët e më të larmishëm që ata kanë parë ndonjëherë! Bashkë me Baksin, fshati numëron rreth 140 familje me mbi 550 banorë, nga të cilët 90 janë fermerë që mbarështojnë afro 400 krerë bagëti. Fshati ka një shkollë 9-vjeçare, një kishë katolike, disa restorante dhe 2 dyqane. Vendasit janë njerëz të urtë dhe punëtorë, të dashur e mjaft mikpritës. Frekuentimi gjithnjë e në rritje ka bërë që disa prej banorëve të këtij fshati t’i përkushtohen shërbimeve turistike, duke filluar që me ndërtimin e strukturave akomoduese. Aktualisht,
Rrjolli numëron rreth 12 struktura akomoduese, me nga 1-8 dhoma, kapaciteti i përgjithshëm i të cilave vlerësohet në mbi 550 shtretër. Po ashtu, në Rrjoll gjendet edhe një prej kampingjeve më interesantë të Velipojës – “Clandestino Camping”. Instagram: clandestino_camping

Megjithatë, një pjesë e këtyre strukturave akomoduese në Rrjoll nuk u përkasin vendasve, por janë ndërtuar nga individë dhe subjekte, të ardhur në këtë këtë zonë. Sa u takon çmimeve për një dhomë, sipas kushteve ato variojnë nga 2500-4500 lekë/nata. Thuajse të gjitha strukturat akomoduese ofrojnë disa orendi dhe pajisje kuzhine, sisteme elektroshtëpiake etj. Si pjesë e kapacitetit të përgjithshëm akomodues të fshatit Rrjoll duhen llogaritur edhe mbi 30 banesa nga 1-3 kate të individëve që nuk i përkasin komunitetit të këtij fshati, por që në tokën e blerë aty, kanë ndërtuar shtëpi të dyta për përdorim familjar.

Lumi i Shalës, plazhi drithërues në gji të Alpeve

Na pëlqen shumë që kur një destinacion bëhet trend, fillojnë dhe e karahasojnë atë me ndonjë të ngjashëm të tij nëpër botë. Kështu kemi bërë me Kanionin e Osumit duke e quajtur Koloradoja shqiptare, kështu kemi bërë me Ksamilin duke e quajtur Maldive, kështu kemi bërë me Thethin, duke e quajtur Zvicër e s`kishte si të ndodhte ndryshe edhe me Lumin e Shalës, si një prej spoteve turistike më të bukura në Shqipëri, zbuluar vetëm kohët e fundit prej turistëve, ndonëse ndodhet aty prej mijëra vjetësh. E kanë quajtur Tajlanda shqiptare prej ngjashmërisë me vendin aziatik për kombinimin e magjishëm të të kaltrës transparente të ujit me gjelbërimin e bollshëm që e rrethon atë.

Lumi i Shalës ka një gjatësi prej 37 km, prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Ai buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breglumi tek Porta e Shalës, nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Drin (Liqeni Koman). Është lumë malor me rënie mesatare 22 metra në një kilometër.
Lumi dallohet për ujin e tij të kristaltë, për bukurinë e rrallë të peisazhit dhe është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujrat e ëmbla.
Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin. Një vend që çdokush do të mendonte se ekzistonte vetëm nëpër përralla por që është një realitet i prekshëm në gji të Alpeve tona të mrekullueshme.

“Discover Albania” ishte pa dyshim ndër të parët që dërgoi atje grupet e tij të turistëve, ndihmuar nga Komani Lake Ferry Berisha. Nëntor Oseku, me fotot e të cilit kemi ilustruar këtë destinacion, në nr. 26 të Revistës Travel thotë në intervistën e tij se Lumi Shala, bashkë me Nikaj Mërturin dhe Gjirin e Gramës, janë tri destinacionet më të bukura në Shqipëri.
Dhe ne jemi plotësisht dakord. Dhe kemi një lutje për ju të dashur lexues e ju tur operatorë:
Ruajeni natyrën sepse është një thesar që po e humbëm, nuk do ta rimarrim dot më në të ardhmen. Respektoni kapacitetet e saj dhe shijojini gjërat me masë. Mos i shkatërroni këto perla që na zbukurojnë kryet e atdheut!

 

Rana e hedhun, parajsa e virgjër e Shëngjinit

Mos mendoni se plazhet e bukura e intime do t`i gjeni vetëm në Jugun e Shqipërisë. Madje bash aty ku mendoni se popullimi nuk do t`ju lërë të shijoni në dëshirën tuaj pranë natyrës, do t`ju tregojmë një plazh të pangjashëm me ndonjë plazh tjetër në Shqipëri.

Kur themi Shëngjini ju me siguri nuk do ta kuptoni se ç`lidhje ka ky vend me intimitetin dhe fshehtësinë. Por ama, po ta lini Shëngjinin pas, portin e tij, t`i ngjiteni pishave duke vazhduar pak më përtej, do ta kuptoni se për çfarë po flasim; përpara syve do t`ju dalë një rrëpirë me rërë të pastër ku prej erërave që fryjnë vazhdimisht e që dallgëzojnë rërën, duket sikur s`ka shkelur askush tjetër para teje. Një grumbull gjigand rëre duket sikur zbret nga mali dhe e mban vrapin drejt e në det. Duket sikur mijëra punëtorë e kanë mbledhur me lopata dhe hedhur aty në anë të malit. Prandaj quhet Rana e Hedhun. Në fakt është dukuri natyrore dhe e ka bërë këtë vend nje prej më të veçantëve në Shqipëri. Kurora e pishave detare që mbush me aromë gjithë vendin, ia shton edhe më shumë bukurinë këtij vendi, që është destinacioni kryesor i atyre që kërkojnë pakës aventurë ndryshe.


Shpresojmë që masivizimi i Shëngjinit të mos e shkatërrojë këtë plazh të bukur, i cili mund të qëndrojë i tillë pikërisht si një ofertë e ndryshme, që shton larminë e qëndrimit në Shëngjin.

Nëse vendosni të qëndroni diku për drekë, Restorant Brigeni do të ishte sugjerimi ynë.

Kepi i Rodonit, diadema e bregdetit durrsak

Në destinacionet tuaja një-ditore gjatë stinës së verës nuk mund të mos përfshihet një prej plazheve më të bukur në Gjirin e Durrësit, Kepi i Rodonit. Gjendet në një trekëndësh mes Durrësit dhe Tiranës, të cilët takohen në një rrip toke të zhytur thellë në kaltërsinë e detit Adriatik, Rodoni ofron qetësinë dhe peizazhin që duhet vizituar nga të gjithë kuriozët dhe dashamirësit e natyrës dhe plazhit ende të virgjër që ofron. Distanca nga Tirana është rreth 50 km që mund të përshkohet lehtësisht për rreth 1 orë e 20 minuta, në një rrugëtim që të zhyt mes kodrinave argjilore, gjelbërimit dhe tokave bujqësore të zonës. Ndërsa nga qendra e Durrësit kjo perlë natyrore është larg rreth 49 km ose 60 minuta rrugëtim, lehtësisht e përshkueshme dhe me infrastrukturë të përshtatshme.

Rodoni shtrihet midis Gjirit të Rodonit në veri dhe Gjirit të Lalëzit në jug, ndërsa derdhet brenda tij lumi Ishëm dhe mbyll nga ana jugore Gjirin e Drinit. Pa mbërritur ende në bregun e detit ende të virgjër, mund të vizitoni Kishën Franceskane, monumenti që sot paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romaniko-gotike e shek. XIII. Pas rindërtimit të saj vitet e fundit, mund të dallohen lehtë në muret e saj një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenare, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku. Për shkak të vlerave të saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njërën nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë si dhe favorizuar nga pozicioni gjeografik dhe peisazhi mahnitës, është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët dhe vizitorët vendas. Më tej, mund të eksploroni, të varur mbi njërën anë të kepit kalanë e Skënderbeut, një ndër pikat kyçe të komunikimeve detare të kësaj periudhe me pjesën përtej Adriatikut. Në çdo gur të mbetur ende mbi kala, dëshmohet histori e ardhur deri në ditët tona, që dëshmon arkitekturën e zgjedhur duke ruajtur me fanatizëm bukurinë natyrore të zonës dhe bregdetin mahnitës të saj.

Nëse qendroni pak brenda Kalasë, mund të zgjidhni të shihni detin nga “qerpiçët”, dritaret qindravjecare të saj, për të fiksuar momente apo peizazhe të paharrueshme në kujtesën tuaj, pse jo dhe të teknologjisë lëvizëse që përdorni gjatë udhëtimit. Për guximtarët, ky rrip toke duhet eksploruar në këmbë deri në pëllëmbën fundore, natyrisht të veshur me atlete sporti për të parë një ndër bukuritë e rralla të vijës bregdetare të Ishmit, tashmë pjesë e Bashkisë së madhe të Durrësit. Mund të zgjidhni të bëni vizitë me varka për të shijuar faunën e egër nën ujore aq të pasur të kësaj zonë.

Pas kësaj qëndrimi në plazh, mundësisht të siguruar vetë, do ju largojë plotësisht nga kaosi i përditshmërisë së qendrave urbane në të cilat jetojmë dhe punojmë cdo ditë! Argëtimet me sporte të ndryshme në rërë ose në tokë, mbeten në preferencën tuaj për t`i shtuar ngjyrat udhëtimit tuaj një ditor, që me siguri do t`ju rikthejë sërish në këtë natyrë mbresëlënëse, shumë afër dhe larg realitetit të turizmit veror, por edhe atij historik! Oazi i qetësisë dhe bukurisë natyrore mban emrin Kepi i Rodonit!

 

Plazhi i Gjeneralit, një por sa për njëqind gjeneralë!

Do ju çojmë këtë herë në një pikë turistike ku qielli bashkohet me detin, pas kodrinave të bukura që e rrethojnë zonën, pikërisht në plazhin e Gjeneralit në Kavajë. Ashtu si emri i këtij vendi, hijerëndë, plazhi i Gjeneralit, fsheh brenda tij enigma dhe mistere të një eksplorimi natyror ende të panjohur masivisht. Ndodhet rreth 10 km nga Kavaja, rreth 30 km nga Durrësi, 60 km nga Tirana, 55 km nga Elbasani, ndërsa rruga që të shpie drejt kaltërsisë dhe thellësisë së detit, shkëputet nga autostrada në hyrje të fshatit Synej dhe pas pak minutash rrugëtim, nga lartësia e kodrave te Bardhorit, të shfaqet përpara syve një pamje vërtet e rrallë dhe mbresëlënëse, e ndryshme nga pjesa tjetër e kësaj cope të Adriatikut.

Terreni është paksa i vështirë, për shkak të dëmtimeve që ka pësuar rruga nga mungesa e vëmendjes instancave shtetërore, dhe, sepse në krahun tjetër të gjirit po ndërtohet Porti i Jahteve. (E kemi zakon ne shqiptarët që kur rregullojmë diçka, do prishim se s`bën diçka tjetër). Së fundi për fat të mirë, rruga është shtruar deri në fshatin Bago dhe pas rreth 15 minutash nga kthesa në autostradë, e gjen veten në pikën më të lartë të zonës, për të zbritur më pas në gjirin e fshehur mes ajrit të pastër, gjelbërimit, detit të padëmtuar nga dora e njeriut. Atë që dora e njeriut ka bërë në këtë vend, është vetëm punë duke e zbukuruar më tepër , duke ndërtuar në përshtatje me vetë natyrën, shtëpiza prej druri dy katëshe, me kushte tejet të rehatshme për disa ditë të qeta larg zhurmës së qendrave urbane që na mbushin përditshëmrinë dhe duke krijuar një ambient tepër komod dhe të rehatshëm. Investimi i mirëmenduar i kryer në të, jo vetëm që nuk e ka dëmtuar, por përshtatja që i është bërë me natyrën dhe peizazhin piktoresk, kërkojnë më shumë vëmendje nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Ushqim i freskët me traditë kryesisht të menusë italiane, ndërthurur me qetësinë që të ofron plazhi dhe dallgët e detit, padyshim që do ia shtojnë ngjyrat udhëtimit tuaj.

Ka disa legjenda lidhur me emrin e këtij plazhi, por ajo që vetë banorët e kësaj zone tregojnë është se këto anë gjatë luftës së dytë Botërore vinte një ushatarak madhor nga Italia me gjithë të dashurën (në afërsi ka patur shumë reparte italiane). Ai vinte me jaht dhe ruhej me eskortë private, duke shijuar sa natyrën aq dhe bukurinë e të dashurës së tij. Madje duke qenë se vinte shpesh ai u familjarizua me vendasit. Kështu që edhe kur nuk erdhi më, banorët e quajtën “Plazhi i Gjeneralit”. Gjenerali nuk erdhi më për t`i lënë tashmë vendin vizitorëve dhe gjithë atyre që dashurojnë të bukurën të servirur përmes natyrës. Peizazhi është vërtet befasues për këdo që e sheh për herë të parë. Plazhi duket si ishull qetësie. rrethuar me det dhe me gjelbërim mesdhetar që mbushin kodrinat e ulëta të Bardhorit, të pozicionuara si shkallë amfiteatri që zbresin drejt bregut. Në gjithë qendrimin dhe udhëtimin do ju shoqërojë një fllad i pranishëm edhe në ditët me të nxehta të vitit. Ka disa gjire detare të vigjëra si mikroplazhe që ofrojnë ujra te pastra pse jo dhe vende peshkimi. Në këtë zonë bregdetare për fat të mirë, ende nuk është lejuar që të bëhen ndërtime klasike me hekur dhe beton, por sipas një vendimi të Këshillit të ish-Komunës janë lejuar vetëm ndërtime vilash e hotelerie 2-katëshe vetëm me dru. Është ndërtuar vetëm vetëm një strukturë turistike që emrin e ka gjithashtu si gjiri, Plazhi i Gjeneralit.

Në fakt, ajo që të mbush zemrën me gëzim në këtë epokë batërdie e ndërtimesh të babëzitura, është fakti që djemtë që e kanë përdorur këtë gji për qëllime biznesi, e kanë ruajtur atë më mirë seç do ta kishin ruajtur njëqind gjeneralë së bashku. Këdo do ta mundonte kërshëria se nga e mori emrin “Gjeneral” plazhi i Bardhorit, por nëse e viziton, vërteton jo vetëm legjendat por ndihesh edhe vetë pak gjeneral gjatë qëndrimit.

Gjiri i Gramës , ose plazhi më i bukur në Shqipëri

Ai dikur ka qenë gjiri i shpëtimit. Shumë marinarë, lundërtarë, lufëtarë por edhe kusarë, strehoheshin aty kur i zinte stuhia në det dhe kur largoheshin linin shënimet e tyre nëpër mure. Prandaj edhe quhet Gjiri i Gramës ose i Gramatës. Emri i tij është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet.

Secili që ndaloi aty, la gjurmën e tij mbi shkëmb, sa më thellë që të mundej. Më shumë se 1500 mbishkrime numërohen aty, ku mbishkrimet greke janë më të lashtat dhe u takojne shekujve të fundit para Krishtit, të pasuara nga disa mbishkrime latine të periudhës perandorake, para se greqishtja mesjetare të ishte mbizotëruese. Mbishkrime që në të shumtën e herëve i drejtohen Jezu Krishtit e që vinin si pasojë e lutjeve për shpëtim ose që Zoti të sillte erën e mbarë. Sot me siguri janë më shumë mbishkrime sepse udhëtarët e shekullit të fundit gjithashtu duan të lënë gjurmën e tyre. Sot ata nuk janë më as marinarë, as luftëtarë e as kusarë por turistë që vjnë të shijojnë gjirin më të bukur në Shqipëri.

Ata vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe deri më sot asnjë nuk është kthyer mbrapsht indiferent nga kjo bukuri e rrallë. Gjiri i futur karakterizohet nga ujërat e kristalta që në fakt gjenden në të gjitha plazhet e vogla të Karaburunit, pjesë e të cilit është edhe Grama. Në njërin krah të tij shpatet e thikta janë pasojë e marrjes së shkëmbit gjatë shekujve sepse dihet tashmë që Grama në lashtësi ka qenë edhe gurore, për shkak të soliditetit të shkëmbinjve të zonës.
Natyrisht duke udhëtuar drejt Gramës me mjete lundruese, ndërkohë që jeni nisur nga Dhërmiu si rruga më e shkurtër, ju do të keni mundësi të admironi gjithë vijën bregdetare, ku ka plot gjithe të tjerë të vegjël, ndonëse asnjëri prej tyre me bukurinë e saj.
Një tjetër mënyrë për ta vizituar gjirin është edhe nëpërmjet ecjes përgjatë Karaburunit, nëpër një shteg të bukur bimësie mesdhetare. Edhe ky tashmë është një shteg mjaft i frekuentuar, ndonëse janë më të shumtë ata që duan ta vizitojnë nga deti. Mënyra më e mirë për të vizituar Gramën, është me Turin e Jugut, nga Discover Albania.

Drejt Sazanit, si një marinar i vërtetë

Me maksimumin e vëmendjes që pas daljes së Shqipërisë nga Pakti i Varshavës, Ishulli i Sazanit në Adriatik, po i kthehet përsëri Shqipërisë, por tashmë për qëllime ekonomike. Misteri që e ka rrethuar këtë aset të pashfrytëzuar po zbulohet dita-ditës nga vizitorët e huaj, por jo më pak edhe nga vendasit, për të cilët, ky destinacion ishte një mollë e ndaluar.

Edhe pse zyrtarisht mbetet një bazë ushtarake, prej Majit deri në Tetor nga ora 08:00-19:00, Sazani pret vizitorë të shumtë, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e turizmit edhe në zonën e Vlorës. Në këtë mënyrë, autoritetet shqiptare iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së vazhdueshme të tour-operatorëve për hapjen e ishullit për turistët. Me më pak se 6 km2 sipërfaqe, ishulli është një rezervat i vërtetë për jetën e egër, duke strehuar dhjetëra lloje të rralla të florës dhe faunës, e sidomos të zvarranikëve.
E ndërsa në ishull ende shihen ndërtesat, tashmë të braktisura të përdorura për akomonimin e stafit ushtarak që shërbente aty, në afërsi të brigjeve të Sazanit, nënuji fsheh mistere ende të pazbuluara që datojnë që nga betejat e hershme detare të Perandorisë Romake e deri në Luftën Dytë Botërore.

 


Kështu, bashkë me bulevardin e madh përgjatë bregut, apo “Lungomaren”, Qendrën Historike të sapopërfunduar në Vlorë, Ishulli i Sazanit do të jetë një magnet i fuqishëm për turistët, jo vetëm për vizitorët ditorë, por edhe për ata që do të duan të shijonë ofertën e larmishme të pushimeve në brigjet e Vlorës sonë. Për një përvojë sa më ekzaltuese mund të zgjidhni linja të ndryshme lundrimi, ndër të cilat do t`ju sugjeronim Regina Blu, Teuta Boat. Liburna Cruises, Mogila Ship etj., ku secila ka tipologjinë e saj të veçantë të udhëtimit.

Palasa, parajsa nën këmbët e malit

Nëse keni pasur fatin të provoni sportin e fluturimeve të quajtur paragliding dhe jeni hedhur nga Ballkoni i Llogorasë, ajo parajsa që do shikoni poshtë këmbëve tuaja është Palasa. Një prej plazheve më të gjata të Rivierës shqiptare e sigurisht ndër më të bukurat. Palasa është thuajse një segment i drejtë, ose një vazhdë segmentesh me pak thyerje, që ndan si me thikë tokën me detin. Një hapësirë e pamatë me zall të bardhë, ku thyhen të gjitha nuancat e blusë dhe të gjelbrës, duke kulmuar me më të bukurën ngjyrë që natyra mund të ketë krijuar ndonjëherë, atë të smeraldit.

E dukshme që në kthesat e forta që zbresin Llogoranë, nuk besojmë se ka udhëtar që ka shkelur Jugun e Shqipërisë e nuk është mahnitur prej saj. Deri vonë një plazh krejtësisht i virgjër dhe pa një rrugë të shtruar që të çonte në të, Palasa ishte parajsa e fshehur e atyre që donin intimitet. Sot, me shtrimin e rrugës prej rreth një kilometër, plazhi po bëhet strehë e resorteve masive, të cilat minimalisht do ta prishin magjinë e tij si një parajsë e virgjër dhe e harruar, ku kishte vënë dorë vetëm natyra. Por Palasa mbetet një plazh i bukur e për ata që duan ta shijojnë, ajo do të ruajë sërish copëza magjie që mund të shijohen me heshtjen e mungesës së civilizimit dhe nën melodinë e valëve të detit e zhurmave të natyrës.

Ju këshillojmë të mos e humbisni mundësinë për ta shijuar këtë plazh të mrekullueshëm ashtu siç e ilustruam në fillim; përmes një fluturimi me paragliding. Do të jetë një nga përvojat më të bukura të jetës tuaj. Drejtohuni tek www.extremeillyricum.com për më shumë detaje mbi këtë përvojë të paharrueshme.

Dhërmi-Gjipe, për aventura piratësh

Edhe pse të gjithë e njohin, e frekuentojnë, ankohen kur ka shumë fluks dhe duket siku nuk ka vend për të gjithë, Dhërmiu nuk mund të mos renditet në listën e plazheve më të bukura shqiptare. Dhe nuk po flasim vetëm për plazhe por edhe për aktivitete. Të shkoni në Shpellën e Piratëve, të arratiseni në Gjipe, të kacavirreni, të ecni përgjatë shtegut të kanionit, të hidheni deri në Jal, janë të gjitha aktivitete që mund të kryhen shumë mirë duke u nisur nga Dhërmiu. Prandaj është aq i kërkuar, se nuk lodhet kurrë se joshuri edhe ata më skeptikët.

Plazhet e bruzta
Vija e gjatë ngjyrë smelardi në brigje, që shkon e thyhet në blu të thellë deri në horizont, fillon që nga Palasa dhe e parë prej atje, duket se nuk ka fund dhe nuk ka mistere. Gjithë plazhi është në pëllëmbë të dorës. Megjithatë edhe Dhërmiu ka gjiret e veta të fshehura, njërin prej të cilëve fare intim, matanë një dritareje shkëmbore. E ka gjithashtu edhe misteret e veta që sot nuk janë më mistere sepse Shpella e Piratëve është zbuluar e vizituar tashmë nga shumë turistë.

Dhërmiu fshat.
Ideal për pasditet pas plazhit, për t`iu ngjitur fshatit lart, mbi gurë e kalldrëme për të shijuar e parë nga afër trashëgiminë e fshatrave të Jugut, për të pirë një kafe nën hijen e rrepeve. Dhe për të shijuar panoramën e pashoqe që të fal çdo dritare e frëngji, çdo buzë rruge lart mbi faqen e malit.

Pranë Dhërmiut
Jali. Plazhi i kristaltë që kufizohet me Dhërmiun. Meka e të rinjve që e dashurojnë këtë vend, ku muzika e lartë shqetëson ata që duan pushim por argëton pa masë të gjithë ata që kanë dëshirë të duken e të thonë me një “check in” nëpër rrjete sociale: këtë verë isha në Jal. Është trend apo jo?

Vunoi. Fshati magjik mbi kryet e plazhit, që ashtu si Dhërmiu fshat, të fton nëpër rrugicat e tij të zbulosh histori e legjenda, të dëgjosh tregime pleqsh e të shijosh aroma e shije të harruara nëpër vite. Vunoi po ringjallet. Në vitet që vijnë, do ta lakmoni qëndrim në ndonjërën prej shtëpive të tij pritëse.
Kështu pra. Edhe Dhërmiu, ndonëse shumë i njohur e frekuentuar, është një prej destinacioneve ideale të verës.

Kakomeja & Krorëza, plazhet me kurorë Perëndie mbi kokë

Nëse ka një gji të përfolur e të vizituar në Shqipërinë jugore, ai është pikërisht Gjiri i Kakomesë. I famshëm sa vështirë të gjesh njeri që njeh Shqipërinë dhe nuk ka dëgjuar për të. I bukur sa më s`thuhet, vetëm ndjehet. I vlefshëm sa s`ka, sepse nuk është i rrethuar vetëm prej bukurisë por edhe prej hirit të Perëndive, me Manastirin e Shën Mërisë, që i rri mbi kokë e që vitet e fundit është edhe restauruar.


Kakomeja për turistët është e arritshme vetëm nga deti e për këtë ka menduar Onhezmus 1. Por sigurisht askush s`ju ndalon t`i ngjiteni malit e të përjetoni një tjetër ndjesi, teksa nga mali zbrisni shtegut, drejt e në det.
Por Kakomeja nuk është vetëm. Ndanë saj ndodhet një tjetër gji i bukur dhe krahasuar me Kakomenë, fare i panjohur. Edhe ai ka një manastir që i rri mbi kokë si bekim Perëndie.

Në numrat e kaluar të Travel, ne ju kemi folur për Krorëzën, këtë parajsë që deri pak vite më parë e dinin vetëm sarandiotët. Sot nuk është më aq e panjohur sepse ata që janë të apasionuar pas këtyre mrekullive të fshehura, e kanë gjetur tashmë. Por ne duam që ta gjeni edhe ju. Ndaj e risollëm edhe në listën tonë të plazheve më të bukura.
Për ta vizituar, shkoni pak më tutje e lexoni për plazhin tjetër. Sepse nuk është vetëm Kakomeja dhe Krorëza që mund t`i vizitoni me një tur. Ka Akoma.
Jua tregon Ionalb Travel.

Gjiri i Plakotoit, sirena që do t`ju lërë pa frymë

E kisht dëgjuar ndonjëherë? Për shumicën prej jush, jemi të sigurtë që jo.
E dimë shumë mirë, e dini edhe ju se gjiret e kristalta të Sarandës janë mahnitëse por ky është një gji jo si të tjerët. Një gji i rrethuar nga pllakat (nga të cilat ka marrë edhe emrin), rëra e bardhë që të merr sytë dhe uji i kristaltë ku edhe në dhjetëra metra thellësi, arrin të shikosh zallin në fund të detit.

Ajo që të mahnit më tepër është se si puthen aq ëmbël dy ekstremet e natyrës, mali dhe deti.
Një gji që ndodhet midis gjirit të Krorëzës dhe Plazhit të Lukovës, i cili pa mjete motorrike detare, është e pamundur të arritet me makinë. Kjo e bën edhe më të veçantë këtë plazh të vogël e të bukur. Jo të paktë janë njerëzit që kanë filluar ta vizitojnë dhe ta shijojnë këtë parajsë të virgjër me ujërat e kulluar. Përditë ky gji vizitohet nga dhjetëra pushues, të cilët ndjekin një tur ditor me anijen turistike Onhezmus 1. Kjo anije mundëson përditë ture në këtë zonë, duke u nisur nga moli pranë Zyrës së Informacionit Turistik ne shëtitoren e Sarandës, duke ndaluar në plazhe dhe pika turistike mjaft emocionuese siç është Kepi i Qefalit, Gjiri i Kakomesë, Gjiri i Krorëzës, dhe përfundon udhëtimin e saj në Gjirin e virgjër të Plakotoit.

Jo vetëm bukuritë natyrore mund t`i shijosh me anijen turistike Onhezmus 1 por edhe pasurinë historike dhe detare. Manastiri i Kakomese dhe ai i Krorëzës, të ndërtuar mbi kodrat e larta, buzë detit, janë dy perla të arkitekturës mesjetare bizantine. Një udhëtim për të mos u humbur në fakt është ky i organizuar nga Onhezmus 1.

Ksamili, dashuria e të gjithëve

E ç`mund të themi për Ksamilin? Të gjitha jua kemi thënë. Ai ka kohë që e ka tejkaluar vetveten. Të gjithë duan shkojnë në Ksamil. Katër ishujt e tij mahnisin çdokënd që vjen aty dhe nuk stepen aspak prej fluksit të madh të pushuesve. Prandaj dhe nuk mund ta linim jashtë listës së 12 plazheve më të bukura shqiptare sipas nesh.

Në pamje të parë duket sikur nuk ke çfarë të ofrosh në Ksamil përveç plazhit e bukurisë së rrallë të ishujve por nuk është ashtu. Ndonëse jua kemi ofruar Ksamilin në njëmijë e një mënyra, ka ende për të bërë. Për shembull ne do t`ju rekomandonim të eksploronit jo plazhet e njohura por ishujt e vegjël. Edhe brenda në shkurrnajën mesdhetare, edhe përqark, ku ka guva të fshehta e të paimagjinueshme që me siguri shumë prej pushuesve të plazheve nuk i kanë parë asnjëherë.
Shkoni tek Shtëpia e Midhjes (lexo artikullin në rubrikën Made in Albania) për një përvojë ndryshe, për të vizituar fermat e midhjeve nëpër Liqenin e Butrintit. Vizitoni Kalanë e Vivarit, një ishull i magjishëm në mes të ligatinave, zbuloni restorantet me kuzhinë lokale dhe gjeni aty recetat autentike për një përvojë gastronomike të paharrueshme.

 

Për një qëndrim sa më të këndshëm në Ksamil do t`ju sugjeronim Aler Bianco Hotel, Hotel Luxury, Hotel Delight, Vila Qendra, Hotel Castle, kurse për një kuzhinë sa më cilësore por edhe për të shijuar kuzhinën ndërkombëtare, zgjidhni Guvat Restaurant, Tre Ishujt, Bianco Restaurant & Lounge Bar, Gjirin e Hartës, etj..

 

Ky klasifikim është botuar në numrin 26 të Travel Magazine, Qershor 2018