Një shëtitje nëpër Kosovë – Prishtinë, Pejë, Prizren

3 Nëntor, 2021 || 871 views

Kosova mund të vizitohet nga turistët shqiptarë vetëm gjatë dimrit, për pistat e saj të skive në Brezovicë e Rugovë apo për një kalim të shpejtë në Prishtinë e Prizren. Por kjo është shumë e gabuar, sepse Kosova është një destinacion i pasur e me të gjitha ngjyrat, që mund të vizitohet e të pasurojë përvojat tuaja të udhëtimeve në çdo stinë e çdo qytet. Ja ku po ju dhurojmë një buqetë vendesh për të parë e vizituar në tri qytetet e saj më të njohura, duke ju premtuar se do t`ju sjellim edhe plot destinacione të tjera në vazhdimësi.

Prishtina

Kryeqyteti i Prishtinës ofron mjaft atraksione dhe aktivitete për t’i bërë dhe një ditë nuk mjafton për ta njohur nga afër këtë qytet. Shëtitja nëpër pjesën e vjetër të qytetit përfshin disa pika të interesit: Muzeumi i Kosovës, Pazari i Vjetër, Xhamia e Gurit, Xhamia e Jashar Pashës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Madhe Sulltan Mehmet Fatih, Hamami dhe Muzeumi Etnologjik i Kosovës.

Bulevardi “Nëna Tereze” të përfshin në jetën dhe shpirtin e qytetit. Aty has në statujën e Presidentit Ibrahim Rugova dhe statujën e Skënderbeut përballë ndërtesës së Qeverisë. Prapa kësaj ndëtese është i ashtuquajturi Monumenti i Vllaznim-Bashkimit nga koha e ish-Jugosllavisë. Përballë Pallatit të Rinisë është simboli ikonik i Prishtinës Newborn dhe Monumenti i Heroinave.

Më tutje, shëtitja e Prishtinës vazhdon për tek Katedralja e Nënës Tereze, ku vizitorët mund të ngjiten deri lart dhe prej aty të shohin të gjithë qytetin, kampusin universitar, Bibliotekën Kombëtare dhe Galerinë Kombëtare të Arteve.

Pas kësaj shëtitjeje nëpër Prishtinë, vizitorët shpesh vazhdojnë për tek Parku Arkeologjik i Ulpianës, rreth 12 kilometra larg Prishtinës. Këto rrënoja të qytetit që nga kohërat romake shtrihen në mes të një fushe të gjerë. Për adhuruesit e trashëgimisë shpirtërore, aty pranë mund të vizitojnë Manastirin e Graçanicës.

Për ta shijuar ditën në gjirin e natyrës, vizitorët mund të vazhdojnë pak kilometra më larg për tek Pylli i Arinjve për një shëtitje në natyrë dhe për t’i parë nga afër arinjtë e shpëtuar. Pylli i Arinjve është edhe qendër edukimi mjedisor për të vegjlit, ofron lojëra dhe aktivitete edukative dhe një restorant me produktet e zonës.

Peja

Peja është destinacioni i shëtitjeve në natyrë në Kosovë. Aty ndodhen zonat më të spikatura natyrore, të cilëat e kanë përfshirë të gjithë Kosovën në listën e atraksioneve natyrore në Ballkan. Vizitorët mund të kalojnë disa ditë duke shijuar bukuritë e kësaj zonë. Një shëtitje në Ujëvarën e Drinit të Bardhë, aty ku buron ky lumë, kombinohet me vizitën në Shpellën “Bukuroshja e Fjetur”.

   

Në drejtimin e Grykës së Rugovës, ka shumë pika turistike për t’u ndalur dhe aktivitete për t’i bërë. Patrikana e Pejës është një nga objektet e mbrojtura nga UNESCO-ja ku vizitorët mund të njihen me këtë pjesë të trashëgimisë shpirtërore të vendit. Nga Patrikana vazhdon lëvizja përgjatë Grykës së Rugovës për të arritur tek pika prej ku vizitorët e pasionuar pas adrenalinës mund të përjetojnë emocionin e “fluturimit” nëpër një Zipline 640 metra të gjatë dhe më pas të testojnë veten duke u ngjitur nëpër Via Ferrata.

   

Më tutje rruga të çon në fshatrat piktoreske të Drelaj, Reke e Allages, Shkrelit e Bogës ku ka me dhjetëra bujtina e ku vizitorët shijojnë mikpritjen tradicionale.

Brenda në qytetin e Pejës, vizitorët mund të bëjnë një shëtitje relaksuese nëpër pazarin e vjetër ku mjeshtrit punojnë plisin (qeleshen) me teknikat e vjetra. Këtu janë dhe mjeshtrit e njohur të punimit të filigranit dhe arit.


Vetëm dy kilometra nga qendra e Pejës është Parku i Aventurave. Në këtë atraksion turistik, vizitorët e të gjitha moshave mund të provojnë forcën fizike në nivelet e ndryshme të ngjitjes nëpër platformat me dru dhe litarë të instaluara në natyrë apo të shohin të gjithë Pejën nga lisharësja 15 metra e lartë. Restoranti me ushqime tradicionale ofron pushimin e merituar!

Prizreni

Prizreni njihet si qyteti me larminë më të madhe kulturore dhe të identiteteve të Kosovës, është qyteti ku shumë qytetërime janë bërë bashkë dhe i kanë dhënë formën unike zhvillimit të tij ndër shekuj.

Shëtitja në qytet bëhet kryesisht në këmbë. Ecja fillon nga pikëtakimi në Urën e Gurit, ku bëhet një prezantim i Prizrenit, përmbledhje e zhvillimit historik dhe i karakteristikave të qytetit, si: gjuhët lokale, harmonia fetare dhe diversiteti kulturor. Ndalesa e parë është në Kishën Katolike Zonja Ndihmëtare. Vazhdohet nëpër sheshin Shadërvan. Ndalemi në Kishën Ortodokse Shën Gjergji dhe dy kapelat e vogla. Ndalesa tjetër është te Kroi i Shadërvanit dhe më pas në Xhaminë e Sinan Pashës.

   

Pastaj kalohet në pjesën moderne të qendrës historike ku prezantohet periudha dhe zhvillimet në qytet gjatë mesit të dytë të shek. XX. Më pas vazhdohet për në Kompleksin e Marashit, për t’u kthyer në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Radhën më pas e ka Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Teqeja Halveti, rruga e Farkatarëve dhe ndalesa e fundit në Kino Lumbardh. Në rastet kur ka ndonjë aktivitet kulturor në Kino Lumbardh, e përcjellim së bashku me vizitorët. Ky është një prej itinerareve gjysëm-ditore, që më së shpeshti kërkohet nga vizitorët, por varësisht nga koha dhe interesimi i tyre, mund të vizitohen edhe Kalaja e Prizrenit, apo Muzeu Arkeologjik me Sahat Kullë dhe Kisha e Shën Premtes, apo ndonje nga lokacionet e shumta në Prizren.

Përveç shëtitjes kulturore, Prizreni ofron edhe argëtim në natyrë: shëtitje me biçikleta, lundrim me kajake apo ngjitje nëpër Via Ferratan “Panorama” dhe fluturim me paragliding.

 

Përkrahja zvicerane për zhvillimin e turizmit në Kosovë
Që nga viti 2014, organizata Swisscontact përkrah zhvillimin e turizmit në Kosovë. Shembuj të kësaj përkrahjeje janë edhe zhvillimi i produkteve të reja apo i destinacioneve, sikurse platforma www.kosovopass.com, PYLLI I ARINJVE Prishtinë, apo edhe trajnimi i guidave dhe pasurimi i ofertës turistike të rajoneve brenda vendit. Përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), janë zhvilluar shumë aktivitete në fushën e zhvillimit të turizmit, që kanë kontribuuar në rritjen e punësimit dhe të të hyrave për komunitetin lokal. Këto aktivitete janë fokusuar në koordinimin dhe menaxhimin e destinacionit, promovimin e tij, përmirësimin e ofertës turistike dhe të shërbimeve turistike.

Lidhje: PPSE KOSOVO

Facebook: PPSE Program Swisscontact

Instagram: ppsekosovo