100 fotot më të bukura që mund të bëni vjeshtës në Juglindje

24 Tetor, 2019 || 1474 views

Të ndërmerrni një udhëtim nëpër Juglindjen e Shqipërisë në vjeshtë, është një prej kënaqësive më të mëdha që mund t`i jepni vetes gjatë kësaj periudhe.

Ne e kemi cilësuar shpesh si itinerarin që duhet ta bëni së paku një herë në në jetë, sidomos midis datave 20 Tetor – 10 Nëntor por edhe përgjithësisht gjatë të gjithë vjeshtës për shkak të bukurisë së pashoqe dhe peisazheve mbresëlënëse, që do ti gjeni kudo, sapo të lini pas Elbasanin.

Duket sikur gjatë udhëtimit ju shoqërojnë të gjitha orkestrat simfonike të botës, që luajnë për ju Vjeshtën e Vivaldit në të gjitha variantet e mundshme. Nganjëherë vjeshta është poezi lirike, nganjëherë tregim epik e herë të tjera melodi që nuk di ta përshkruash por vetëm ta ndjesh. Ne kemi më shumë se një dekadë që e bëjmë këtë udhëtim dhe akoma nuk jemi mërzitur.

Për ta bërë udhëtimin tuaj më të këndshëm do t`ju sugjeronim:

Të ndaloni për një kafe tek veranda e Hotel Perlës në Pogradec

Të ktheni për një raki te Komiteti në Pazarin e Vjetër në Korçë

Të mblidhni mollë Erseke me dorën tuaj në plantacionet e panumërta që do të gjeni rrugës

Të hani një drekë që të lëpish gishtat nga duart e Lulit brenda në Ersekë, tek Hotel Restorant Inxhujo

Të pini kafen e pasdites në Ersekë.

Të flini tek Farma Sotira Agroturizëm. Të nesërmen do të shijoni një prej mëngjeseve më të mira që mund tju ketë qëlluar ndonjëherë. Një xhiro me kalë, do tju  bënte akoma më mirë, për të vazhduar rrugën.

Të ndaloni për të bërë foton më të bukur të të gjithë udhëtimit, përballë Cirqeve të Nemërçkës.

Të laheni në Banjat Termale të Bënjës.

Të ndaloni në Përmet (mundësisht tek Hotel Alvero), për një raki mani, një gliko are apo  një drekë karakteristike që nuk do ta gjeni kund tjetër përveçse aty.

Mos u ktheni në Tiranë.

Dy ndalesa të tjera që nuk duhet t`i mungojnë këtij udhëtimi është të përshkoni Delvinën (deri në Sy të Kaltër nëse doni) dhe të bëni një vizitë në Fermën “Lord Bajron” në Tepelenë.

———————————

Për të parë fotot, kliko këtu