10 vende të jashtëzakonshme që duhen parë një herë në jetë

30 Nëntor, 2022 || 167 views

Bota fsheh me mijëra vende të jashtëzakonshme dhe të çuditshme. Disa prej tyre janë aq të veçanta, saqë duhet të vizitohen të paktën një herë në jetë. Më së shumti peizazhe natyrore, por edhe kryevepra të krijuara nga dora e njeriut, po rendisim 10 mrekulli të planetit tonë.

 

Plazhi i Kuq, Kinë

I vendosur në qarkun Dawa, Plazhi i Kuq është bërë i famshëm për peizazhin e tij ku dominon ngjyra e rubinit për shkak të “Sueda salsa”, një lloj alge që mbulon pothuajse të gjithë bregdetin. Këto alga deti, gjatë pranverës bëhen të gjelbra, ndërsa në vjeshtë marrin një ngjyrë të kuqe të pabesueshme.

 

Shpellat Waipu, Zelanda e Re

Quhen ndryshe edhe Shpellat e Krimbave Glow. Sistemi kompleks karstik i shpellave, është streha e larvave “Arachnocampa”, të quajtura gjithashtu “Krimba me shkëlqim”, të ngjashme me xixëllonjat. Këto krijesa të vogla, krijojnë një spektakël magjik, duke i dhënë shpellave pamjen e një qielli të mbushur me yje.

 

Terracat e orizit, Yuanyang, Kinë

Ato duken si një kryevepër e artit abstrakt, por në fakt janë thjesht fusha orizi. Peizazhi i këtyre tarracave ndryshon sipas orëve të ditës, dritës dhe stinëve. Në pranverë, fushat e orizit përmbyten dhe uji pasqyron ngjyrat e qiellit e natyrën përreth; në verë, në periudhën e mbjelljes, peizazhi bëhet i gjelbër dhe më pas i verdhë, nga lulëzimi i fidanëve. Pas korrjes, fushat kthehen në kafe dhe përfundimisht mbulohen me borë.

 

Liqeni Dallol, Etiopi

116 metra nën nivelin e detit, është një nga pikat më të ulëta dhe më të nxehta në planet. Megjithatë, liqenet në këtë cep të botës janë vendet më ndjellëse në të gjithë Afrikën. Një mozaik i vërtetë burimesh termale, ngjyrosur nga një gamë ngjyrash, për shkak të pranisë në tokë të shumë kripërave, si kaliumi, natriumi dhe kloruri i magnezit.

 

Rrethet e Zanave, Namibi

Në këtë vend ndodh një fenomen magjepsës. Toka është e mbushur nga disa rrathë bari që i bën ballë klimës së shkretëtirës. Rrathët kanë një diametër nga 2 deri në 20 metra dhe jetojnë pak më shumë se 20 vjet, ndërsa më të mëdhenjtë mund të shkojnë deri në 75 vjet. Shkaqet e fenomenit nuk dihen ende, por vendasit ia atribuojnë fenomeneve të mbinatyrshme. Ndërsa sipas shkencëtarëve, mund të jetë një formë e vetorganizimit midis bimëve ose një fenomen i lidhur me praninë e termiteve.

 

Manpupuner, Siberi

Ata quhen ndryshe “Shtatë Gjigantët”, për shkak të formës së tyre. Këto formacione shkëmbore misterioze, të vendosura në perëndim të vargmalit malor Ural, kanë një lartësi prej 30 deri në 42 metra. Gjashtë prej tyre janë afër dhe të rreshtuar në kodër, ndërsa i shtati qëndron vetëm, pak më larg. Këto monumente gjeologjike që datojnë rreth 200-300 milionë vjet më parë, janë rezultat i erozionit të erës dhe akullit, gjatë epokës së fundit të akullnajave.

 

Liqeni Osoyoos, Kanada

Sipërfaqja e liqenit duket e mbushur me disa “njolla” vezake, të formuara për shkak të përqendrimit të mineraleve në ujë, si sulfati i magnezit, natriumi, kalciumi, argjendi dhe titani. Në muajt e ngrohtë, avullimi i ujit favorizon kristalizimin e mineraleve, të cilat ngurtësohen për të formuar brigje të vërteta. “Njollat” ​​marrin ngjyra të ndryshme në varësi të mineraleve të pranishme.

 

Drina House, Serbi

Kjo shtëpi e vogël, e ndërtuar në vitet 1960, qëndron e vendosur mbi një shkëmb në mes të lumit Drina, afër qytetit Bajina Basta, brenda Parkut Kombëtar Tara. Thuhet se është ndërtuar nga një grup miqsh që kërkonin strehë nga ujërat e stuhishme të lumit dhe që atëherë shtëpia qëndron e vetme duke sfiduar fatkeqësitë e natyrës.

 

Meteora, Greqi

Emri fjalë për fjalë do të thotë “në mes të ajrit” dhe përshkruan pikërisht peizazhin e këtyre manastireve, të ndërtuara me sakrifica të madhe, duke filluar nga viti 1000. Të shpallura Trashëgimi Botërore, manastiret janë qendra të spiritualitetit ortodoks, të dytat për nga rëndësia në Greqi, pas malit Athos. Nga 24 manastiret e ndërtuara fillimisht, aktualisht vetëm 6 janë ende të banuara.

 

Shpella Fingal, Skoci

Në ishullin e pabanuar Staffa, brenda Rezervatit Natyror Kombëtar të Skocisë, ndodhet një shpellë mbresëlënëse detare e lidhur me një formacion të veçantë gjeologjik, që ndahet me dy shpella më të vogla. Është formuar plotësisht nga shtylla gjashtëkëndore, të krijuara nga një rrjedhë llave që ndodhi 60 milionë vjet më parë.